Hamza: Këto mandate dëshmuan paaftësinë e kësaj qeverie, koha t’i themi mjaft
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se vendi po përballet me pasoja të rënda nga bllokadat politike dhe mungesa e përgjegjësisë qeverisëse.
Në një video-adresim, Hamza tha se pasiguria është e natyrshme në kohë sfidash, por se, sipas tij, përgjigja ndaj zhvillimeve të fundit duhet të jetë e qetë, e vendosur dhe në shërbim të shtetit.
“Mbrëmë u përballëm me një zhvillim që ngriti shqetësime, por përgjigja jonë ishte e qartë, e vendosur dhe e pakompromis”, tha Hamza.
Ai rikujtoi se kanë kaluar më shumë se një vit nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke e përshkruar këtë periudhë si kohë pritjeje, vonesash dhe paqartësish që, sipas tij, nuk i kanë shërbyer askujt.
“Gjatë kësaj kohe, ju keni votuar dy herë dhe tash po ju kërkohet të votoni për herën e tretë – jo si rezultat i vullnetit tuaj, por për shkak të gabimeve të gabuara politike të kësaj qeverie”, u shpreh ai.
Hamza akuzoi pushtetin për mungesë veprimi dhe për dështim në udhëheqje, duke thënë se ata që kishin përgjegjësinë për të qeverisur, nuk e ushtruan atë.
“Në vend të qeverisjes patëm stagnim. Në vend të përmirësimit të mirëqenies patëm përkeqësim dhe rritje të kostos së jetesës. Në vend të zhvillimit patëm bllokadë. Ky është realiteti që po jetojmë. Secili prej jush meriton më shumë”, tha kreu i PDK-së.
Sipas tij, mandatet qeverisëse të deritashme kanë dëshmuar “mungesë të plotë të aftësisë për të qeverisur me përgjegjësi”, ndërsa jostabiliteti politik, siç tha Hamza, nuk mbetet vetëm krizë institucionale, por kthehet në barrë për qytetarët.
“Jostabiliteti politik ka kosto reale dhe ajo kosto bie mbi ju. Por sot kemi më shumë qartësi se kurrë më parë. E dimë se çka nuk ka funksionuar dhe kjo u jep mundësinë edhe juve për të zgjedhur ndryshe. Kjo është mundësi për t’i thënë mjaft bllokadës”, deklaroi Hamza.