Hamza: Fatmir Limajn e kam mik për së vërteti, është i mirëpritur në PDK gjatë procesit të brendshëm zgjedhor - NACIONALE

Hamza: Fatmir Limajn e kam mik për së vërteti, është i mirëpritur në PDK gjatë procesit të brendshëm zgjedhor

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur për raportet me Fatmir Limajn, duke theksuar se nuk ka përçarje, pavarësisht se Limaj nuk u përfshi në listën e PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.

“As kemi humb ne, as Fatmir Limaj. Fatmirin e kam mik për së vërteti dhe më vjen mirë që kushdo që nuk e ka mik si unë, Njiheni me shumë se 23-24 vite dhe nuk kemi pasur asnjëherë luhatje në raportet personale. Jam i bindur se jemi bashkë me Limajn dhe pres që ai ta japë mbështetjen e vet. Është në të drejtën e tij”, tha Hamza në RTV 21.

Ai shtoi se PDK mbetet e hapur për figura të ndryshme dhe përfshirje në proceset e brendshme të partisë.

“Në procesin e ardhshëm zgjedhor brenda PDK-së, që do të mbahet menjëherë pas zgjedhjeve, Fatmir Limaj është i mirëpritur në radhët e PDK-së, në një proces të brendshëm zgjedhor për të gjitha nivelet – Kuvendin e partisë, Këshillin dhe Kryesinë. Besoj që bashkë do të jemi më të fuqishëm”, u shpreh ai.

Hamza theksoi se marrëdhëniet e tyre kanë mbetur të pandryshuara ndër vite dhe se bashkëpunimi vazhdon.

“Jemi takuar në rrethana të ndryshme. Pas letrës nuk jemi takuar, por letra ka qenë e hapur dhe ka pasur të bëjë me listat e partisë. PDK është e hapur për të gjithë, edhe për njerëz që nuk kanë qenë më herët pjesë e saj, edhe pse disa e kanë më të vështirë përshtatjen. Rasti i Limajt është një rast tjetër”, tha Hamza.

Lajme të ngjashme