Hamiti: Kuvendi nuk është mbledhur për punë legjislative prej dhjetorit të vitit 2024 - NACIONALE

Hamiti: Kuvendi nuk është mbledhur për punë legjislative prej dhjetorit të vitit 2024

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vazhduar kritikat ndaj pushtetit të VV-së.

Ai ka bërë me dije se Albin Kurti po e pranon që nuk i kanë numrat për qeverinë e re, por po duan të konsumojnë edhe nja një javë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kuvendi nuk është mbledhur për punë legjislative prej dhjetorit të vitit 2024.

“Numrat për Qeveri kanë thënë se i kanë pasur pothuaj gjatë gjithë vitit. Në seancë të Kuvendit, më 26 tetor, doli se nuk i kanë. Albin Kurti nuk e mori besimin e Kuvendit për ta bërë Qeverinë e re. Tash VV-ja dhe Albin Kurti po thonë se nuk i kanë numrat, por megjithatë, siç po duket, duan ta konsumojnë edhe nja një javë. Kjo është gjendja e mjerueshme e paralizës së institucioneve qendrore, e Kuvendit dhe e Qeverisë, kur formacioni politik që del i pari në zgjedhje nacionale është VV-ja, e cila nuk di, nuk do, ose nuk mundet t'i prijë konstituimit të institucioneve..”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Kuvendi i Kosovës nuk është mbledhur për punë legjislative prej dhjetorit të vitit 2024. Qeverinë e Kosovës po e drejton prej pranvere deputeti Albin Kurti, lider i VV-së, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës që nuk u lejon deputetëve të mbajnë në të njëjtën kohë edhe poste ekzekutive, siç po bëjnë edhe shumë deputetë të tjerë të VV-së. Ka edhe një aktgjykim të Gjykatës Supreme të Kosovës sivjet që thotë se deputetët nuk mund të mbajnë poste qeveritare. Ndërkohë, prej qershorit të vitit 2023, Kosova është nën sanksione të ashpra të BE-së për shkak të politikave të mbrapshta të Qeverisë Kurti”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme