Hamiti kritikon pushtetarët: Janë konsistentë në jokonsistencën e vet
Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar udhëheqësit aktual të Kosovës.
Ai ka bëtë me dije se klasën e drejtuesve të sotëm politikë në Kosovë e shquan mungesa e përmasës etike.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ata janë konsistentë në jokonsistencën e vet.
“Jo fort moti, në historinë e re të Kosovës, dimensioni etik i politikanëve ka qenë me vlerë në sytë e publikut. Po ashtu edhe konsistenca, qëndrueshmëria, besnikëria ndaj pikëpamjeve që kanë afirmuar dhe me të cilat e kanë kërkuar besimin e qytetarëve për t’u bërë përfaqësues apo udhëheqës të tyre. Në këtë kuptim, Ibrahim Rugova është njeriu i parë politik që të bie në mend, por jo i vetmi. Presidenti Rugova mbahet në mend si njeri i dijshëm, me fjalë të buta, por me qëndrime të forta. Politikan i njerëzishëm, me bindje dhe përkushtim të palëkundshëm për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Burrështetasi i parë i vendit tonë”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Në përgjithësi, klasën e drejtuesve të sotëm politikë në Kosovë e shquan mungesa e përmasës etike, e njerëzisë, e konsistencës, e bindjeve. Mbasi ndërrojnë parreshtur, duken të pabesë dhe të pabesueshëm në sytë e atyre që mbajnë mend. Janë konsistentë në jokonsistencën e vet. Përkundër kësaj, lojcakët u pëlqejnë shumë njerëzve, siç e kanë dëshmuar rezultatet e zgjedhjeve në vitet e fundit. Prandaj, Kosova i ka punët siç i ka. Keq, shumë keq”, ka shkruar ai.