Hamiti: Kosova ndodhet në krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike
Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se Kosova ndodhet në krizë të thellë shoqërore, ekonomike, politike dhe institucionale.
Për këtë gjë, ka thënë ai, fajtore është partia në pushtet.
Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka shkruar se Kosova po qeveriset me qeveri në detyrë e ushtrues të detyrës së presidentit.
“Me Qeveri në detyrë jemi gjatë, pothuaj gjithë kohën, tash e një vit e gjysmë. Qeveri pa mbikëqyrje parlamentare, pa Kuvend funksional, përveç ndërkohëve të shkurtëra. Po ashtu, me ushtruese të detyrës së Presidentit jemi tash e sa muaj. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, para një muaji, i kanë dhënë mundësinë Vetëvendosjes ta formojë sërish Qeverinë, siç po thonë edhe vetë. E patën edhe me zgjedhjet e dhjetorit. E formuan sa për ta kthyer në detyrë, që domethanë Qeveri pa mbikëqyrje parlamentare, mbasi e kishin bllokuar funksionimin kushtetues të institucioneve kryesore gjatë vitit 2025, mbas zgjedhjeve të shkurtit të atij viti. Albin Kurti me të vetët ishin edhe në Qeveri edhe deputetë, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Pastaj, gjatë pranverës së sivjeme, nuk deshën marrëveshje me opozitën për zgjedhje të Presidentit, që çoi pashmangshëm në zgjedhjet e 7 qershorit dhe e ktheu Qeverinë në formatin e qeverisë kujdestare”, ka shkruar ai, duke e vazhduar kritiken ndaj Qeverisë.
“Kosova është në krizë të thellë: shoqërore, ekonomike, politike, institucionale. Pasojat po i vuajmë të gjithë, përveç këtyre që po e mbajnë pushtetin dhe po sillen me shpërfillje ndaj fatit të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar ai.