Hamiti i ashpër me VV-në: Këta janë ushtruesit e detyrës që s’duhej të ishin në detyrë
Zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, e ka kritikuar liderin e VV-së, Albin Kurti, për mbajtjen e posteve kryesore shtetërore me ushtrues të detyrës.
Ai ka vlerësuar se këta janë ushtruesit e detyrës që nuk do të duhej të ishin në detyrë.
Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka shkruar se Kurti po tregohet i shurdhet ndaj thirrjeve vendore dhe ndërkombëtare për formimin e institucioneve të reja.
“Qytetarët e Kosovës ka kohë që presin që të zgjedhurit e tyre t’i formojnë më në fund institucionet. Për këtë i kanë zgjedhur me votë, në tri palë zgjedhje në më pak se 1 vit e gjysmë. Partitë opozitare po e kërkojnë këtë pa sukses, me fjalë dhe/apo gjeste simbolike. Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, në radhë të parë BE-ja dhe SHBA-të, po bëjnë thirrje për themelim të institucioneve. Po e tërheqin vërejtjen për mundësi të humbura për vendin tonë. Bëhet fjalë për fonde të humbura nga BE-ja për Kosovën . Po ashtu, për mundësi të humbura bashkëpunimi strategjik me SHBA-të. Për këto ura komunikimi dhe bashkëpunimi me botën nuk flasin pushtetarët e sotëm të Kosovës. Për njërën nga urat e Ibrit po”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Të shurdhër ndaj këtyre thirrjeve brenda dhe jashtë vendit janë Albin Kurti me të vetët, me Vetëvendosjen dhe partnerët e vegjël, të cilët i kanë marrë rolet e ushtruesve të detyrës së Kryeministrit, të ministrave, të Presidentit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këta janë ushtruesit e detyrës që s’duhej të ishin në detyrë. Krejt dhe drejt: u.d.!”, ka shkruar ai.