Hamasi nxjerr një listë me emrat e 34 pengjeve që mund t’i lirojë si pjesë e armëpushimit - NACIONALE

Hamasi nxjerr një listë me emrat e 34 pengjeve që mund t’i lirojë si pjesë e armëpushimit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një zyrtar i lartë i Hamasit ka ndarë me televizionin BBC një listë prej 34 pengjesh për të cilat grupi palestinez thotë se është i gatshëm t’i lirojë në fazën e parë të një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi me Izraelin.

Në mesin e këtyre emrave janë dhjetë gra e 11 burra më të moshuar, të moshës prej 50 deri në 85 vjeç, si dhe disa fëmijë që Hamasi më parë kishte thënë se ishin vrarë nga një sulm ajror izraelit, raporton televizioni BBC.

Disa pengje për të cilat Hamasi thotë se janë të sëmura janë përfshirë gjithashtu në listë. Mbetet e paqartë se sa pengje janë ende gjallë në Gaza.

Në raportimet nga Gaza e menaxhuar nga Hamasi thuhet se nga sulmet ajrore izraelite u vranë mbi 100 njerëz në fundjavë.

Zyra e kryeministrit izraelit i mohoi raportimet se Hamasi i kishte ofruar Izraelit një listë të pengjeve.

Bisedimet për armëpushim rifilluan në fundjavë në Doha të Katarit, por ende nuk duket që në to është shënuar përparim domethënës.

Një zyrtar i Hamasit i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se çfarëdo marrëveshje për kthimin e pengjeve do të varej nga një pakt për tërheqjen e Izraelit nga Gaza dhe nga armëpushimi i përhershëm ose përfundimi i luftës.

Lajme të ngjashme