Zyrtari i Autoritetit të Konkurencës flet për Nacionalen, e pranon se foli me Pacollin për komente të rreme: E kam shoqe
Gjatë tentimit të 40-të për konstituimin e Kuvendit, deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, i erdhi një këshillë e çuditshme në “Messenger”.
Në fotografinë që e ka realizuar gazeta “Nacionale” ku shihet ekrani i një tableti që po e përdorte zonja Pacolli, në një grup të hapur në “Messenger”, të titulluar “Seanca cdo 48h”, dikush dërgon një link në të cilin në gjuhën angleze shkruhet: “Zeoob: Gjenerues i Postimeve të Rreme në Facebook me Komente”.
Menjëherë nën këtë link, dikush shkruan: “Qitu e ndreq kollaj.”
Por, ky dikush del të jetë zyrtar i Autoritetit të Konkurencës Albion Rexhepi.
Rexhepi, me të dalë lajmi në Nacionale, ku vërehej fotografia e tij në mesengjer tek sa llafoseshin me deputetën se si të mashtrojnë online, e ndërroi fotografinë e profilit në Facebook.
Rexhepi e ka konfirmuar për Nacionalen se ishte ai që komunikoi me Pacollin, duke shtuar se grupin e mbajn për takime dhe dalje me bicikleta, "Po unë kam komunikuar. Por grupi në fakt ekziston për dalje me bicikleta. Unë Fitoren e kam shoqe dhe emrin e grupit e kemi ndërruar në formë sarkazme, sepse Fitorja shpesh herë nuk po mund të vije për shkak të obligimeve në Kuvend. Dua ta bëjë edhe një sqarim, unë komunikimet me Fitoren i bëjë në baza personale, sepse e kam shoqe dhe jo në kuadër të institucionit ku punoj." - u shpreh ai.