Halimi e LDK-së pas deklaratave të Musliut: Gjuha e urrejtjes përforcon stereotipe gjinore
Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtarja e kryesisë, Sibel Halimi, ka thënë se gjuha denigruese dhe e urrejtjes nuk izolohet në persona të caktuar, por përforcon sterotipe gjinore.
Halimi i ka thënë Nacionales se përgjegjësia është që të ofrohet një model se si politikanët e politikanet, përfaqësojnë interesat e tyre që “gratë e vajzat të na përfaqësojnë nesër”.
“Gjuha e argumentit është i vetmi komunikim që duhet të përdoret, përtej saj është fyerje e integretit e dinjitetit të personit. Fatkeqësisht, gjuha denigruese dhe e urrejtjes asnjëherë nuk izolohet në persona të caktuar, por përforcon stereotipe gjinore dhe helmon gjenerata të reja. Ndaj, përgjegjësia jonë sot është të ofrojmë model se si politikanët e politikanet i përfaqësojnë interesat e tyre që gratë e vajzat të na përfaqësojnë nesër!” – ka thënë ajo.
Vlen të theksohet se sot deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka bërë një deklaratë seksiste ndaj presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
“Si presidente ti do të mbahesh në mend veç si inatiqore, kompleksgjike, përçarëse dhe urrejtese deri në palcë! Me qe paske hyrë të kg. Po ta them troq: Do të mbahesh në mend si një GRUA që hyri në Presidencë me 100 kg e do të dalë nga aty me 50 kg.” – ka shkruar ajo në një shkrim në Facebook, për të cilin u kritikua shumë.
