Halimi e LDK-së: Kurti duhej të raportonte për ultimatumin e pesëshes, para se të ligjërojë në Greqi
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovs, Sibel Halimi ka thënë se kryeministri i vendit do të duhej të raportonte në Kuvend për viziën e emisarëve, para vizitës në Greqi.
Përmes një shkrimi në Facebook, Halimi e ka quajtur Kurtin “popullist”.
“Kuvendi në anën tjetër, jo vetëm që nuk e kryen detyrën e tij, por shpesh abuzon me të drejtën e deputetëve të shumicës që lirshëm të deklarohen. Tempulli i demokracisë nuk është zgjatim i ekzekutivit; i pari e mbikëqyr dhe kontrollon këtë të dytin. Ky deformim, kjo stërkeqje e konstitucionalizmit shtetëror, është rrezik shtesë për Republikën tonë!”- ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Kryeministri do të duhej të raportonte në Kuvend për ultimatumin që ka marrë nga pesëshja që përfaqësojnë aleatët strategjik të Kosovës, para se të ligjërojë nga Greqia për trazirat në Evropë e problemet në të katër anët e botës.
Shumë popullist në mitingje zgjedhore e njeri i prapaskenës në veprime, kryeministri ka përbrendësuar një qasje mosbesuese kundruall opozitës, medias e miqve të Kosovës dhe çka është më e frikshmja, ai ka hyrë në ujëra të turbullta me politika konfliktuoze.
Kuvendi në anën tjetër, jo vetëm që nuk e kryen detyrën e tij, por shpesh abuzon me të drejtën e deputetëve të shumicës që lirshëm të deklarohen. Tempulli i demokracisë nuk është zgjatim i ekzekutivit; i pari e mbikëqyr dhe kontrollon këtë të dytin. Ky deformim, kjo stërkeqje e konstitucionalizmit shtetëror, është rrezik shtesë për Republikën tonë!