Halimi kritikon pushtetin për mungesën e investimeve në Kulturë: As suksesi i "Zgjoit", nuk mjaftoi për ta zgjuar nga gjumi Qeverinë
Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për projektet dhe investimet në kulturë.
Halimi ka thënë se përveç punësimeve partiake në borde dhe trupa kulturor nuk ka bërë asnjë avancim.
Më tej, ajo ka thënë nuk shihen askund në horizon premtimet e mëdha si për ndërtimin e Teatrit, Operës dhe Baletit, stadiumi kombëtar e projekte të tjera.
“As suksesi i "Zgjoit", nuk mjaftoi për ta zgjuar nga gjumi Qeverinë, për të bërë diçka më shumë për filmin. Kinematografia mbeti në vendnumërim, sikur çdo lëmi tjetër kulturore. Objekte të reja nuk ndërtohen; ekzistueset nuk mirëmbahen; ato pak që janë në gjendje të mirë, nuk promovohen. Buxhetit vazhdon të ndahet në mënyrë selektive, sipas hartës partiake.” – ka shkruar ajo.
Tutje, ajo ka thënë “prandaj duhet "Rruga e Re", se ajo na ndanë nga e shkuara e ankesave, arsyetimeve e fjalëve boshe.”
Shkrimi i saj:
Përveç asnjë projekti të madh kapital në kulturë, në mbi 30 muaj qeverisje, nuk kishte as avancim të legjislacionit. As formë dhe as përmbajtje. Veç punësime partiake në borde dhe trupa kulturore; të cilat herë mbesin të mangëta, pa këshille drejtuese; e shpeshherë stërngarkohen me militantë.
Premtimet e mëdha për ndërtim të Teatrit të Operës dhe Baletit, Teatrit të Ri Kombëtar, krijimin e kinemave të reja të qytetit, Stadiumit Kombëtar, Pishinës Olimpike, Muzeut të Historisë së Natyrës, Muzeut Arkeologjik - edhe pse ka kaluar më shumë se gjysma e mandatit - nuk shihen askund në horizont.
As suksesi i "Zgjoit", nuk mjaftoi për ta zgjuar nga gjumi Qeverinë, për të bërë diçka më shumë për filmin. Kinematografia mbeti në vendnumërim, sikur çdo lëmi tjetër kulturore. Objekte të reja nuk ndërtohen; ekzistueset nuk mirëmbahen; ato pak që janë në gjendje të mirë, nuk promovohen. Buxhetit vazhdon të ndahet në mënyrë selektive, sipas hartës partiake.
Prandaj duhet "Rruga e Re", se ajo na ndanë nga e shkuara e ankesave, arsyetimeve e fjalëve boshe. Programi ynë, ai i ambicieve të mëdha e projekteve madhore, i reformave dhe vizionit largpamës e të guximshëm, është përgjigjja ndaj stagnimit qeveritar që të vetmen punë e ka progagandën e numrave dhe grafikoneve, sikur ai i mbrëmshmi i postuar nga i pari i Qeverisë, me të cilët i mahnitë veçse militantët partiak.
