Halimi: Dita e vetëdijesimit kundër dhunës ndaj grave nisi me mëngjes të trishtë
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj vrasjes së 63-vjeçares sot në Prishtinë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, vritet një grua në familjen e saj.
Ajo ka thënë se të gjithë duhet të vetëdijesohemi për pasojat që sjell patriarkalizmi.
“Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për atë se edhe sa shumë duhet të bëjmë si shoqëri për të arritur barazinë gjinore; pikërisht sot, në Prishtinë, vritet një grua në familjen e saj. Në një vend ku gratë dhe vajzat shihen si objekte, në shërbim, të disiplinuara dhe të kontrolluara nga burrat; në një kohë kur rastet e dhunës, dhunimit dhe privimit nga jeta të grave, janë bërë rëndomtësi e përditshmëri, nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur gjysma e popullatës shtypet dhe diskriminohet. Të gjithë duhet të vetëdijesohemi për rëndësinë e gjuhës që shprehim, për qëndrimet tona karshi grave dhe vajzave, ngase pa eliminimin e patriarkalizimit të përbrendësuar nuk mund t'i ndryshojmë veprimet!”, ka shkruar ajo.