Haki A****: Duhet të rishikohet mandati i Lajçakut, ky format i dialogut po bëhet për sy e faqe
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki A**** ka kërkuar të bëhet rishikimi i mandatit të emisarit për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak.
Deputeti në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se moszbatimi i udhërrëfyesit për marrëveshjen me energjinë në veri, është dëshmi se ky format i dialogut po vazhdon të bëhet sa për sy e faqe.
“Mosrespektimi i marrëveshjes për energjinë nga ana e Serbisë dhe mossuksesi konkret që dialogu ka prodhuar në dhjetë vitet e fundit, tregon se ky format është vetëm sa për sy e faqe për të thënë shkurt. Serbia e ka përdorur për dy objektivat kryesore të vetat, e para është që të pres që Rusia të ketë një pozicion më të fuqishëm negociues me BE-në dhe perëndimin. Në anën tjetër edhe memoria institucionale e BE-së dhe botës demokratike të mos jetë aty sa i përket të 90-tave. Pra në këto dy objektiva ka punuar Serbia sa i përket politikës së jashtme, ndërsa në politikën e brendshme, duke i bërë tresni shqiptarëve në Luginë të Preshevës, shpreson që sa ma gjatë të moszgjidhen problemet me Kosovën, aq më pak shqiptarë do të ketë në Serbinë e jugut. Në anën tjetër, duke e vendosur Kosovën në një dritë të jostabilitetit, duke moslejuar jetë normale dhe tentim të qytetarëve për të lëshuar Kosovën”, ka thënë deputeti.