Haddad: Franca mbështet rrugën evropiane të Kosovës
Ministri i Deleguar i Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, ka konfirmuar mbështetjen e Parisit për perspektivën evropiane të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e reformave, sundimit të ligjit dhe zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në një intervistë për RTK-në, Haddad tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor është jetik për paqen dhe stabilitetin e kontinentit.
“Po, unë mbështes perspektivën evropiane të Kosovës dhe ky është një qëndrim i qartë i Qeverisë franceze”, deklaroi ai.
Gjatë vizitës u nënshkruan pesë marrëveshje për bashkëpunim në drejtësi, kulturë, arsim dhe promovimin e gjuhës frënge. Franca do të mbështesë edhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 përmes një kredie prej 60 milionë eurosh për infrastrukturën sportive dhe rinore.
Haddad përmendi gjithashtu programin prej 80 milionë eurosh për tranzicionin energjetik dhe paralajmëroi zgjerim të bashkëpunimit në teknologji, inteligjencë artificiale, dekarbonizim dhe ekonomi.
Ai vlerësoi se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë, por kërkon vigjilencë dhe vazhdim të angazhimit të KFOR-it.