E pabesueshme | Gërvalla "me përgjegjësinë më të plotë": Kemi pasur rritje të jashtëzakonshme ekonomike
Ish-kryediplomatja në Qeverinë Kurti 2, Donika Gërvalla, ka deklaruar se gjatë mandatit të kësaj qeverie Kosova ka përjetuar një “rritje të jashtëzakonshme ekonomike”.
E ftuar në emisionin “Pressing”, Gërvalla u pyet nga gazetari Leonard Kerquki që të përmendte shembuj konkretë të punëve të mira të Qeverisë Kurti.
Përgjigja e saj u kufizua në fraza të përgjithshme, si “stabilizimi i ekonomisë”, “rritja e jashtëzakonshme ekonomike”, pa dhënë ndonjë dëshmi apo të dhëna që do ta mbështesnin këtë pretendim.
“Stabilizimi i ekonomisë, rritja e jashtëzakonshme ekonomike, rritja e pagave.” – deklaroi Gërvalla.
Madje, Gërvalla insistoi "me përgjegjësi të plotë" se Kosova "ka pasur hov të jashtëzakonshëm ekonomik."
Si qëndrojnë faktet?
Zyrtarët e Qeverisë Kurti 2, përmes një akrobacie diskursive me shifrat, kanë manipuluar në mënyrë të përsëritur perceptimin publik mbi trajektoren e vërtetë të performancës makroekonomike të vendit.
Përderisa Kosova përjetoi rritje të konsiderueshme në fillim të vitit 2021 – duke arritur kulmin prej 16.32 për qind në pranverë – kjo rritje nuk vazhdoi.
Krahasuar me muajt paraprak, norma e rritjes së BPV-së filloi të bjerë ndjeshëm pas tremujorit të dytë të 2021-ës, duke vazhduar në një trajektore në rënie deri në tremujorin e dytë të 2023-ës.
Deri në vitin 2022, rritja reale e BPV-së së Kosovës kishte rënë në 4.28 për qind, dhe në vitin 2023, ajo u ul më tej në 4.07 për qind. Këto shifra pasqyrojnë një trajektore ekonomike larg asaj që kishte vendi në vitet si 2015 apo 2016.
Rritja prej 10.7 për qind në vitin 2021 – shpesh e trumbetuar si arritje nga Kurti – ishte kryesisht rezultat i rimëkëmbjes pas recesionit prej -5.3 për qind në vitin 2020, që erdhi si pasojë e goditjeve globale nga pandemia. Vitet pasues ishte nën performancën e 8 nga 11 vitet para pandemisë Covid-19.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, të prezantuara nga ish-zëvendësministri në MEPTINS, Edison Jakurti, ekonomia e Kosovës deri në vitin 2023 rezulton se ende nuk është rimëkëmbur plotësisht nga pandemia.
Njohësi i ekonomisë kishe shpjeguar se hendeku mes BPV-së aktuale dhe asaj që mund të ishte nëse rritja do të ndiqte ritmin 10-vjeçar para-pandemik është mbi -2 miliardë dollarë realë.
"Deri në vitin 2023, ku bëjnë pjesë tre ose më shumë vite nga hapja e ekonomisë, meqë shumë masa kanë filluar të largohen qysh në pjesën e dytë të 2020, ekonomia e Kosovës mbetet nën trendin para-pandemik. Thënë ndryshe, deri në vitin 2023, ekonomia e Kosovës nuk është rimëkëmbur nga pandemia. Prej vitit 2020 e tutje hendeku mes BPV të realizuar dhe një BPV që do ta ndiqte trendin para-pandemik është mbi -2 miliardë dollarë realë, 1.3 nga të cilët janë vetëm në periudhën post-pandemike 2021-2023."