Guvernatori i BQK-së: Rritja ekonomike për këtë vit pritet të jetë 3.9%
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka deklaruar se rritja ekonomike për këtë vit pritet të jetë rreth 3.9 për qind.
Në një intervistë për “Kosova Press”, ai ka thënë se sektori financiar në Kosovës është stabil.
“Ekonomia ka pas një rritje prej 3.3 për qind për vitin 2023, pa marrë parasysh ende publikimin e ri që ka bërë ASK-ja. Pritjet tona janë që ekonomia të rritet për këtë vit me rreth 3.9 për qind, përsëri subjekt i rishikimit nga të dhënat e fundit që ka vendosur ASK-ja, sepse kjo ndikon edhe në projeksionin tonë. Inflacioni ka pasur një rënie në 4.9 për qind, nga 11.6 për qind që ishte një vit më herët dhe presim që ky vit të mbyllet me rreth 2.5 për qind inflacion. Sektori financiar është sektor stabil, i kapitalizuar mirë dhe brenda parametrave rregullator, ndërsa sektori bankar gjithashtu ka shënuar një rritje të mirë me gjitha parametrat e duhur, dhe është një prej sektorëve të fortë që ndërton sektorin financiar të vendit.” – citohet se ka thënë ai.
Ismaili ka folur edh për nevojën që Kosova të anëtarësohet në Kartonin e Gjelbër:
“Kjo është një çështje që ende po vazhdon për fat të keq pa një epilog, ka përpjekje që kjo të trajtohet edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, përkatësisht në lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, ka diskutime në nivel diplomatik, ne gjithë sa herë i takojmë përfaqësuesit diplomatik të huaj në Kosovë, përpiqemi që të adresojmë, është arritja e një momentumi që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Byrove dhe për rrjedhojë të fitojë nga Kartoni i Gjelbër është si duket opsioni, por është i vetëm i mundur në qoftë se ndryshon statuti, për ndryshimin e të cilave në bazë të studimeve që kemi mjafton një shumicë e thjeshtë prej 70 për qind të anëtarëve pa të drejtë të vetos të askujt, andaj, konsiderojmë se është e mundur që në aspektin e diplomacisë kjo të arrihet. Deri atëherë fatkeqësisht pasojat në aspektin ekonomik dhe të lëvizjes së lirë, por, edhe të kostos së transportit janë të mëdha. Një prej sektorëve që ndikohet negativisht është sektori transportit, i vetmi sektor i eksportit si shërbim që ka deficit në këtë kategori, pikërisht për shkak se nuk është zhvilluar sektori transportueseve të mëdhenj, i flotave të mëdha të transportit të kamionëve e të tjerave me radhë, bizneset tona i shfrytëzojnë transportuesit rajonal për këtë qëllim, pra, importojnë shërbime të transportit për shkak pikërisht të kufizimit të Kartonit të Gjelbër”.