Gucati: Për herë të parë në Speciale u dorëzuan dokumente me logon e OVL-UÇK-së
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se peticioni me mbi 200 mijë nënshkrime i cili u dorëzua me 6 maj në Gjykatën Speciale përfaqëson mbështetjen e qytetarëve për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ndërsa tha se për herë të parë në këtë gjykatë është dorëzuar dokumentacion me logon e OVL-UÇK-së.
Gucati tha se peticioni është dorëzuar bashkë me dokumentacionin përcjellës në gjuhën shqipe dhe angleze, ndërsa tregoi se delegacioni i OVL-UÇK-së është pritur nga administrata e Gjykatës Speciale para terminit zyrtar të takimit.
“Është e vërtetë, ne si organizatë të veteranëve bashkë me disa studentë nga Prizreni edhe vende të tjera kemi organizuar një peticion ku kemi arritur aty ku kemi menduar, ne kemi menduar pak më shumë të jetë, të jemi të sinqertë, afër 300 mijë po që aq s’kemi mujt me i bë 300 mijë, i kemi bë 200 e diçka mijë janë nënshkrime — edhe i kemi dorëzuar të mërkurën me 6 maj. I kemi dorëzuar direkt në Gjykatën Speciale, ku ka qenë një pritje jashtëzakonisht, na kanë befasuar për të mirë kësaj radhe që s’ka ndodhur përpara”, tha ai për EO.
Ai tha se administrata e Gjykatës Speciale ka treguar korrektësi të lartë gjatë pranimit të peticionit dhe se ai bashkë me Salih Bislimin nuk janë kontrolluar nga sigurimi, ndryshe nga herët e tjera.
“Ka qenë një korrektësi shumë e lartë, niveli më i lartë. Nuk ka qenë sigurimi me na kontrollu. Kanë ardhë 30 minuta para kohës na kanë marrë, se ne e kemi pasur terminin në orën 11:00, ata kanë dalë në orën 10:30 na kanë parë kamerat edhe ka ardhë sigurimi. Aty na kanë pyet, ne i kemi tregu që kemi pru peticionet, i lajmëroni dikë, e kanë lajmëru administratën. Administrata ka dalë dhe kemi hyrë brenda në Gjykatën Speciale. Edhe i kemi dorëzuar të gjitha peticionet me një kontroll rutinore që kanë bërë ata që e kanë obligative me i kontrollu, po mua e Salihun nuk na kanë kontrollu. Na ka befasuar hera e parë që ndodh mos me na kontrollu. Edhe i kanë marrë peticionet, i kemi tregu sa faqe janë — na kanë pyet sa faqe i keni ne i kemi thënë janë afër 9 mijë faqe me nga 25 emra”, tha ai.