Gucati: Kushdo që e fyen UÇK-në do të përballet me padi
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë me dije se do të vazhdojë t`i paditë të gjitha ata që e fyejnë UÇK-në.
Pas seancës se sotme ku kërcënuesi i tij e pranoi fajësinë, ai ka paralajmëruar se nuk do ta kursej askënd që e fyen dhe e kërcënon.
“Ju e patë edhe vetë, për personin i cili më ka kërcënu edhe më fyen, po edhe më thotë që unë e marr pagën qe 9 vite pa punu fare në shkollë. Kjo gjë është e pavërtetë, është e paqëndrueshme. Unë ia kam lënë drejtësisë këtë rast edhe drejtësia do të merret me këtë personin. Ky s’është i pari, do të thotë unë kam ngrit shumë padi, edhe të tjera padi që në ditët në vijim, tash janë të ardhura ato prej Gjermanie, prej Austrie, prej vendeve të ndryshme, të cilët e kanë fyer Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe mu si person vetë, apo si kryetar i veteranëve të radhës së invalidëve të luftës”, ka thënë ai, duke i ftuar të gjtihë që të kenë kujdes.
“Kështu që, unë i kisha bo ftesë çdo veterani apo çdo invalidi, ata të cilët e ndjejnë veten të fyer nga këta persona të cilët quhen me na shantazhu dhe me shajt luftën e UÇK, të bëjnë padi. Nuk kemi nevojë ne mes veti të fjalosemi, po të bëjmë padi. Secili veteran apo secila familje e dëshmorit edhe invalidi të bëjnë padi dhe ne kemi me iu drejtu drejtësisë, edhe drejtësia është ajo e cila do të merr vendim për këta persona”, është shprehur ai.