Gruda i PDK-së: Raporti i Transparency International vërteton ndërhyrjet e qeverisë në çështjet gjyqësore - NACIONALE

Gruda i PDK-së: Raporti i Transparency International vërteton ndërhyrjet e qeverisë në çështjet gjyqësore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka komentuar raportin e Transparency International mbi perceptimin e korrupsionit.

Ai ka bërë me dije se ky raport vërteton se Kosova po udhëhiqet nga një Qeveri e korruptuar dhe e paaftë.

“Edhe një herë me radhë, raportet ndërkombëtare po dëshmojnë se Qeveria e Kosovës, përmes zyrtarëve të saj, po vazhdon të sulmojë organet e drejtësisë, të mbrojë njerëzit e saj të korruptuar dhe të pengoj hetimet e pavarura ndaj tyre. Këtë, dje e dëshmoi edhe Transparency International, e cila në publikimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2023, ka renditur Kosovën në pozitën e 83-të në ranglistën botërore, me vetëm 41 pikë. Pra gjatë vitit të kaluar, Kosova nuk ka pasur asnjë progres në luftën kundër korrupsionit. Republika e Kosovës në rang botëror mban pozitën e 83-të, njëjtë me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka vlerësuar se ky raporton po ashtu vërteton ndërhyrjet e qeverisë në sistemin gjyqësor.

“Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i publikuar nga Transparency International, konstaton këtë në mënyrë shumë të qartë. Aty thuhet se ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, e ilustruar me shkarkimin e kreut të njësisë së hetimit të posaçëm të policisë, së bashku me pengimin nga deputetët e mazhorancës të një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar për korrupsion të madh, sugjerojnë se vullneti politik për të hequr dorë nga kontrolli dhe forcimi i mbikëqyrjes së pavarur ende nuk ekziston”, ka vlerësuar Gruda.

Lajme të ngjashme