Grubi: E gjitha Kosova ta mbështesë Edi Ramën në përpjekjen kundër raportit të Martyt
Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të marrë shembullin e Maqedonisë së Veriut, Greqisë e Bullgarisë për mbylljen e kontesteve dypalëshe bilaterale në mënyrë që të hapet rrugë për të ardhmen.
Në një Intervistë për Kosovapress, ai ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër për çështje të hapur në Evropën Juglindore midis Prishtinës dhe Beogradit pa njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.
“Elita politike në Kosovë dhe elita politike në Serbi duhet të marrin shembullin e Maqedonisë së Veriut si dhe Greqisë dhe Bullgarisë në mbylljen e kontesteve dypalëshe bilaterale në mënyrë që të hapet rrugë për të ardhmen… Nuk ka zgjidhje tjetër për çështje të hapur në Evropën Juglindore midis Prishtinës dhe Beogradit pa njohjen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Serbisë. Ky është rezultati përfundimtar të cilin ne e mbështesim dhe është i vetmi të cilin ne e pranojmë”, ka thënë Grubi.
Ai gjithashtu është shprehur se Kosova nuk duhet të mbetet vendi më i izoluar në Evropë, mirëpo duhet të hap prespektivën për antarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, gjë që siguroi mbështetje për këto çështje.
“Kosova nuk mund të mbetet vendi më i izoluar në Evropë, Kosova duhet të hap perspektiven e vet për anëtarësim në NATO, duhet të hap perspektiven e vet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për këtë ka mbështetjen tonë absolute, pa asnjë dyshim dhe jemi në dispozicion qind për qind të agjendës dhe kauzës të shqiptarëve në Kosovë për t’i arritur këto aspirata duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, prapë them duke marrë shembullin e Maqedonisë së Veriut apo me Bullgarinë. Vendimet e vështira sjellin përfitime për qatrarët e Kosovës por edhe për qytetarët e gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë tutje Grubi.
Grubi përmendi edhe nismën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në të cilën javë më parë e bëri tek Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ku kërkoi që të ndryshojë rezolutën e vitit 2011 dhe të hedhë poshtë akuzat për trafikim të organeve të cilat përmenden në raportin e senatorit, Dick Marty.
Ai vlerëson që kjo iniciativë të mbështetet nga të gjithë shqipëtarët përfshirë këtu institucionet e Kosovës, partitë politike, e botës akademike.
“Vlerësoj që kjo është një iniciativë të cilën duhet ta mbështesim të gjithë, institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqëria civile, bota akademike dhe jo vetëm të Kosovës por të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, për arsye se kjo njollë, siç thash e padrejtë, po etiketon përpjekjet e gjithë kombit shqiptar për demokraci, për liri, për pavarësi, dhe vlerësoj që nëse unifikojmë përpjekjet tona ne do të ia dalim”, tha ndër të tjera Grubi.

