Gorani: Skena politike në Kosovë po shkon drejt logjikës dypartiake
Sipas opinionistit Dukagjin Gorani, situata e tanishme politike në Kosovë nuk është rezultat i lëvizjeve të rastësishme, por i krizave që po zhvillohen brenda vetë partive politike.
Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gorani tha se subjektet politike në vend po përballen me sfida të thella identitare.
“Unë mendoj që nuk bëhet fjalë për ndonjë hamendje, por bëhet fjalë më shumë për krizat serioze të brendshme që i kanë grupet politike tek ne. Mendoj që janë kriza identitare të domosdoshme dhe të paevitueshme”, tha ai.
Sipas tij, edhe sjellja elektorale e qytetarëve po jep sinjale për një riformatim të skenës politike, ku vendi po afrohet drejt një modeli me dy blloqe kryesore politike.
“Mendoj që logjika votuese në Kosovë po shkon andej që vendin me e pa brenda kontekstit dypartiak, ose kushtimisht thënë 2+1”, deklaroi ai.