Gorani: Kurti e Osmani do të duhej të dilnin para gjykatës, i kanë shkaktuar dëm fatal Kosovës
Analisti i njohur, Dukagjin Gorani, tha të enjten në mbrëmje në emisionin “Pressing” të televizionit T7 se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti do të duhej të dilnin para gjykatës, pasi, sipas tij, dy udhëheqësit i kanë shkaktuar Kosovës dëm “kolosal” dhe “fatal” gjatë katër viteve të fundit.
Ai e kritikoi ashpër presidenten Osmani pas fjalimit të saj vjetor të enjten në Kuvend, por nuk e kurseu as kryeministrin Albin Kurti.
“Përfundimisht mendoj se përmbajtja e këtij fjalimi është një përpjekje e paturpshme e shfajësimit për një dëm që kjo [Osmani], në kapacitetin edhe të një politikaneje provinciale, në fillim, e më vonë në kapacitetin e presidentes, në bashkëpunim me kryeministrin e sotëm, ia kanë shkaktuar dëmin kolosal, unë mendoj fatal, vendit tonë gjatë katër viteve të fundit, duke na acaruar, duke na armiqësuar me botën, duke i humbur të gjitha mundësitë zhvillimore, ndërkombëtare në kontekstin e legjitimitetit tonë, duke na e pamundësuar anëtarësimin në organizata kritike për nga rëndësia politike dhe ekzistenciale e jona edhe sot kemi ardhur në situatë kur mendoj që kemi të drejtë me kërku përgjegjësi jo politike, e cila do të vijë në shkurtin e vitit të ardhshëm, por duhet të kërkohet përgjegjësi ligjore për këta njerëz […] Për Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Këta ish dashtë me dalë para gjykatës dhe mendoj që ish dashtë të ndërtohet një argument ligjor, i cili ka me shpjegu kronologjikisht mënyrën qysh është deviju një synim madhor i shoqërisë sonë” – tha Gorani.
“Një përpjekje me dekada e gjatë për legjitimim, për shpëtim, për mbijetesë edhe për zhvillim të shoqërisë tonë. Për mënyrën qysh e kanë pengu, për sabotimin që i është bërë [Kosovës] deri në shkelje kushtetuese, për qëllime që janë pabesueshëm të ulëta, do të thotë vetëm për hir të marrjes së pushtetit dhe të ndërtimit të një reputacioni personal, i cili nesër do të shpërblehej me qëso fitore të vogla, qofshin financiare, qofshin materiale, jo banesa, jo shpia, për hir të motiveve pabesueshëm të ulëta” – shtoi ai.