Gjykata urdhëron “Ibër-Lepencin” ta kthejë veteranin Agim Pllashniku në punë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e veteranit Agim Pllashniku ndaj Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, duke e vlerësuar të kundërligjshëm vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së tij të punës.
Me aktgjykimin e 28 korrikut 2026, gjykata ka anuluar vendimet e “Ibër-Lepencit” për ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe e ka obliguar ndërmarrjen që Pllashnikun ta kthejë në vendin e tij të punës, “Zyrtar i Autoparkut”, në përputhje me kushtet e kontratës së punës.
Sipas aktgjykimit, ndërmarrja duhet t’i paguajë Pllashnikut pagat e papaguara për periudhën nga 31 korriku 2025 deri më 16 prill 2026, në shumën prej 8,647.81 euro, së bashku me kamatën ligjore prej 8 për qind, si dhe kontributet pensionale dhe detyrimet tatimore.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu pagesën prej 1,163.25 euro për çdo muaj, nga dita e nxjerrjes së aktgjykimit deri në ekzekutimin e tij.
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjykata ka konstatuar se shkeljet disiplinore të pretenduara nga punëdhënësi nuk janë dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme dhe se nuk janë respektuar plotësisht procedurat ligjore për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Përveç detyrimeve të tjera, “Ibër-Lepenc” është obliguar t’i paguajë Pllashnikut edhe 748 euro për shpenzimet e procedurës kontestimore.