Gjykata Supreme rrëzon katër ankesa kundër vendimeve të PZAP-së - NACIONALE

Gjykata Supreme rrëzon katër ankesa kundër vendimeve të PZAP-së

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar katër ankesa të paraqitura ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke konfirmuar kështu qëndrimet e këtij institucioni për çështje të kuotës gjinore dhe shpërndarjes së mandateve në zgjedhjet lokale.

Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.108/2025, Gjykata refuzoi ankesën e kandidatit për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Kreshnik Sopi, nga “Lidhja për Prishtinën”. Sopi kishte kontestuar mënyrën e zbatimit të kuotës gjinore, duke pretenduar se ajo “është zbatuar në mënyrë mekanike dhe ka çuar në përjashtimin e një kandidati që ka marrë më shumë vota”.

Në vendimin e saj, Gjykata theksoi se “përfaqësimi gjinor nuk është vetëm kërkesë formale në përbërjen e listës, por detyrim që zbatohet edhe gjatë shpërndarjes së mandateve, për të siguruar përfaqësim efektiv të të dy gjinive”.

Në rastin e dytë, AA.nr.109/2025, Gjykata rrëzoi ankesën e kandidatit të PDK-së në Podujevë, Isuf Osmani, i cili po ashtu kundërshtonte zbatimin e kuotës gjinore. Kolegji vlerësoi se “pretendimi se ulësja në Kuvendin Komunal i takon atij nuk qëndron ligjërisht, pasi një veprim i tillë do të shkelte përfaqësimin minimal prej 30 për qind të gjinisë më pak të përfaqësuar”.

Në rastin e tretë, AA.nr.110/2025, Gjykata hodhi poshtë ankesën e Tush Berishës dhe Anduena Culajt nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, të cilët kërkonin rishpërndarje të mandateve në Komunën e Klinës. Gjykata argumentoi se “Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk garanton ndarje të mandateve të njëjta me komunat e tjera, por i nënshtrohet renditjes së kandidatëve dhe respektimit të kuotës gjinore”.

Ndërsa në rastin e katërt, AA.nr.112/2025, ankesa e Nedzad Uglanin, kandidat nga Iniciativa për Mitrovicën e Veriut, u refuzua si e pabazuar. Ai kishte kërkuar rishqyrtim të vendimit të PZAP-së mbi bazën e numrit të banorëve rezidentë. Gjykata konstatoi se “në këtë rast është marrë vendim i drejtë, pa shkelje të të drejtës zgjedhore apo ndonjë parimi themelor të procesit zgjedhor”.

Me këto vendime, Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar vlefshmërinë e qëndrimeve të PZAP-së dhe ka theksuar rëndësinë e respektimit të kuotës gjinore në përfaqësimin institucional.

Lajme të ngjashme