Gjykata shtyn zbatimin e vendimit për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve
Gjykata Themelore e Prishtinës ka marr vendim për shtyrjen e zbatimit të vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Përmes një njoftimi për medie, kjo gjykatë ka thënë se ka aprovuar propozimin e Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me datën 29.11.2022, ka pranuar padinë me nr. 2767/2022 ku Paditëse është Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa e paditur është Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar anulimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i nxjerr nga e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, me kërkesë që të caktohet masa e përkohshme ndaj të paditurës, përkatësisht të shtyhet ekzekutimi i vendimit të të njëjtit, deri në përfundimin meritor të kësaj çështje në konfliktin administrativ", është thënë në njoftim.
Me tej, thuhet se vendimi nuk do të zbatohet derisa gjykata ta merr një vendim përfundimtar
"Gjykata me datën 02.12.2022, ka marr aktvendim me të cilin ka aprovuar propozimin e paditëses–propozuesës, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, si të bazuar dhe ka shtyrë ekzekutimin e vendimit me numër 03/109 i datës 23.11.2022, i të paditurës, Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me kërkesëpadinë e paditëses”, është thënë në njoftim.
Javen e kaluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim t’i kthejë pagat e gjyqtarëve e prokurorëve sikur ishin para vitit 2018.
Sipas këtij vendimi, gjyqtarëve dhe prokurorëve paga do t’u ulet për së paku 1 mijë euro në muaj.