Gjykata lëshon urdhërarrest për Marko Roshiq, i arratisuri që u dënua për vrasjen e Oliver Ivanoviq
Tashmë është konfirmuar se Marko Roshiq, i dënuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është arratisur nga Kosova. Ndërkohë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Nacionalen se është lëshuar urdhërarrest për të.
Nga kjo Gjykatë, për Nacionalen kanë thënë se i akuzuari nuk është gjetur në adresën e tij të banimit.
“Nga Stacioni Policor në Veri, gjykata është njoftuar se ka ndërmarr veprime për ekzekutimin e aktvendimit të gjykatës, mirëpo i akuzuari nuk është gjendur në adresën e banimit, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit, duke lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e të akuzuarit M.R. dhe dërgimin e tij në qendrën e paraburgimit.” – thuhet në njoftim.
Ndryshe, pas vendimit nga Gjykata me datën 28 qershor, Roshiq është i pakapshëm për institucionet vendore.
Për Nacionalen, në lidhje me këtë foli edhe zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Ditën kur është marrë vendimi rreth orës 10:00. Neve na kanë sjellur vendimin për ekzekutimin e dënimit dikund pasdite. Po atë ditë ne kemi shkuar për ta arrestuar por ai s’ka qenë në shtëpi.” – tha ai.