Serbia po e ndryshon narrativën? Ambasadori serb në ShBA e akuzon Qeverinë Kurti si "anti-amerikane" - NACIONALE

Serbia po e ndryshon narrativën? Ambasadori serb në ShBA e akuzon Qeverinë Kurti si "anti-amerikane"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Serbisë në Amerikë, Marko Gjuriq, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës si antiamerikane në një 'kthim' interesant të narrativës serbe.

Në një postim të gjatë në rrjetin social Twitter, Gjuriq ka deklaruar se Qeveria e Kosovës po shkakton kaos. Ai e ka përmendur edhe sulmin fizik ndaj ish-ambasadores Tracey Ann Jacobson.

“Një Qeveri në thelb anti-amerikane e Kosovës po shkakton kaos dhe po e destabilizon krahun juglindor të Evropës në një moment kritik. Befasuese? Kujtoni se këta janë njerëzit e njëjtë që personalisht orkestruan sulmin fizik ndaj ambasadores së atëhershme amerikane Tracey Ann Jacobson në qendër të Prishtinës”, thuhet në postimin e tij.

“Veprimet e fundit radikale të Qeverisë së Kosovës* (duke ndaluar serbët të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, ndaluar targat serbe dhe duke refuzuar reciprocitetin publikisht marrëveshjen e ndërmjetësuara nga BE-ja/SHBA-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e po ashtu duke injoruar thirrjet publike nga zyrtarë të lartë amerikanë dhe të BE-së dhe duke luajtur me zjarr në terren), janë anti-amerikane, anti-BE dhe anti-serbe,” - deklaroi më tutje Gjuriq.

Kjo deklaratë shenjon një narrativë interesante të politikës serbe, e cila më herët kishte qenë denoncuese se ShBA-të ishin pro Kosovës dhe "po e mbështetnin me shpatulla pas murit Serbinë."

Qeveria e porsaformuar serbe në anën tjetër, është konsideruar si më pro-perëndimore se ajo e kaluara në një kthim të mundshëm të Serbisë kah Perëndimi.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka vlerësuar se ka një luftë të brendshme në Serbi mes presidentit Aleksandër Vuçiq dhe kryediplomatit serb Ivica Daçiq për pushtet.

Lajme të ngjashme