Gjukanoviq refuzon Llekiqin si mandatar, kërkon zgjedhje të reja
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha se nuk mund të pranojë propozimin që Miodrag Llekiq të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të këtij vendi, sepse, sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme.
Gjukanoviq, në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
“Nuk kam pasur përshtypjen se ekziston një shumicë e qartë për formimin e një qeverie, që do t’iu ofronte zgjidhje problemeve shumë të vështira në planin financiar, ekonomik, juridik, institucional dhe politik”, tha Gjukanoviq.
Partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, në gusht të vitit 2020 – Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe URA – ranë dakord të hënën vonë që Llekiqtë jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve – sa kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh. /REL