Gjoshi: Kudo që kanë qeverisur kryetarët e PDK-së, pas tyre ka qenë suksesi
Sekretari organizativ, Betim Gjoshi, tha se Partia Demokratike e Kosovës synon të mbrojë komunat që aktualisht i udhëheq dhe të zgjerojë numrin e tyre.
Ai shtoi se PDK ka dëshmuar qeverisje të mirë lokale pa skandale apo aktakuza dhe kritikoi qeverinë qendrore për mungesë mbështetjeje ndaj komunave që udhëhiqen nga kjo parti.
“Ne në Këshillin Drejtues të PDK-së që u mbajt në fillim të këtij muaji, e kemi bërë një kalendar të afateve se kur do garojmë. Kandidaturat do të fillojnë të miratohen në organe të partisë që nga e hëna e 23 qershorit dhe do të përfundojnë në pjesën e parë të korrikut”.
“Kemi dinamikë për t’ia dhënë rëndësinë, hapësirën dhe rolin e duhur secilit kandidat për kryetar. Është fat i mirë që ne kemi shembull të mirë pasi që qytetarët e njohin qeverisjen e PDK-së në aspektin lokal. Ka tri mandate që jo vetëm që s’ka pasur aktakuzë por as përfolje për kryetarët e PDK-së”.
“Kudo që kanë qeverisur kryetarët e PDK-së, pas tyre ka qenë suksesi, përkundër që kanë pasur mungesë të mbështetjes nga ana e qeverisë, pasi s’ka qenë miqësore me komunat tona por edhe të subjekteve tjera politike”, tha ai.