Gjoba 13 mijë euroshe për Prindonin, Gërvalla: Kemi planifikuar t’i planifikojmë shpenzimet pa pasur nevojë për kërkesën e mediave
Ministrja Gërvalla gjatë një konference për media sot, ka folur edhe për gjobitjen që ju bë ministrisë që drejton ajo, pasi nuk i dha informacionet rreth shpenzimeve të burrit të presidentes në misionet e tij diplomatike.
Gërvalla e arsyetoj mosveprimin e MPJ-së duke thënë se s’ka asnjë interesim për të fshehur shpenzimet.
Ministrja tha se ideja ka qenë të publikohen të gjitha shpenzimet, pa pasur nevojë të dërgohen kërkesat për qasje në dokumente publike nga mediat.
"Ne kemi pasur një kërkesë për shpenzime individuale të një diplomati të caktuar. MPJD shpenzimet i ka si shpenzime të misioneve, nuk janë të ndara individualisht prandaj reforma në këtë institucion është më e nevojshme. Shpenzimet e misionit janë në dispozicion. Vendimi i sekretarit është marrë që të krijohet qasja në këto dokumente. S’kemi asnjë interesim të fshehim asnjë shpenzim të vetëm. Kemi lutur departamentin që të përgatisë në afat sa më të hershëm, duke nisur prej shpenzimeve të kabinetit në mënyrë që ju media të mos dërgoni fare kërkesat, dhe të publikojmë gjitha shpenzimet edhe të së kaluarës e së ardhmes. Vendimi politik është ndërmarrë, pas kabinetit do të nisim publikimin e atyre të misioneve diplomatike. Shpenzimet tona janë shumë më të vogla se në të kaluarën. Nuk i keqpërdorim shpenzimet por i shpenzojmë me shumë kujdes" - ka thënë Gërvalla.