GjND-ja e urdhëron Izraelin që ta ndalë menjëherë ofensivën në Rafah
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka urdhëruar Izraelin që menjëherë ta ndalë ofensivën e vet ushtarake dhe veprimet e tjera në Rafah të Gazës, duke e përmendur “rrezikun e menjëhershëm” ndaj popullit palestinez, raporton televizioni BBC.
Edhe pse vendimet e kësaj gjykate janë ligjërisht të detyrueshme, në praktikë ato nuk mund të zbatohen nga GjND-ja.
Njëri nga gjykatësit tha se gjykata ka parë “me keqardhje se kushtet katastrofale të jetesës së njerëzve në Rripin e Gazës janë përkeqësuar më tej”.
Kërkesa për lëshimin e urdhrit emergjent ndaj Izraelit për ndërprerjen e operacionit ushtarak në Rafah ishte paraqitur nga Afrika e Jugut, e cila muaj më parë paraqiti një rast më të gjerë kundër këtij shteti, duke e akuzuar për gjenocid.
Izraeli i ka mohuar akuzat dhe qëndrim të ngjashëm krahas tij kanë paraqitur edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk e kanë përjashtuar mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj GjND-së.