Gjini pret komandantin e KFOR-it: Kosova duhet të ndërtohet si shtet i besueshëm për NATO dhe siguri rajonale
Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës priti në takim në Gjakovë komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, të cilin e falënderoi për mbështetjen e forcës paqembajtëse në vend.
Gjini tha se Kosova duhet të ndërtohet si shtet i besueshëm dhe i vlefshëm për NATO-n.
Postimi i plotë:
Sot pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë të pres në takim Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş. E falënderova për mbështetjen që KFOR-i i ka ofruar ndër vite Kosovës, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në rindërtimin dhe reformimin institucional të saj.
Me Gjeneralin biseduam për rrethanat politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe për mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të vendit.
Prezenca shumëvjeçare e Forcave të NATO-s në Kosovë i ka ofruar vendit tonë siguri dhe mundësi të shumta zhvillimi në të gjitha sferat e jetës. Prezenca e KFOR-it mbetet ende e një rëndësie të veçantë, ndërsa Kosova duhet të ndërtohet si një shtet i besueshëm dhe i vlefshëm për NATO-n dhe sigurinë rajonale.