Tmerruese: Gjilanasit ia prenë gishtat për 10 euro borxh, i dyshuari për këtë rast është i mitur
Sot gjatë ditës është raportuar për një ngjarje sa të pazakontë, aq edhe të trishtë. Dy persona dyshohet se ia kanë prerë gishtërinjtë një personi tjetër për shkak të një borxhi prej 10 eurosh.
Vepra thuhet të ketë ndodhur më 22 tetor të këtij viti e arrestimi i njërit prej të dyshuarëve ka ndodhur tek të hënën e 12 dhjetorit. Kjo nënkupton se i mituri në fjalë kishte qenë në arrati për 20 ditë.
Gazeta Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se kryerësi i kësaj vepre është i mitur dhe se sot është paraqitur para Gjykatës Themelore në Gjilan. Nga burimet merret vesh se i dyshuari, me vendim të gjykatës, është dërguar në Qendrën Korrektuese në Lipjan.
Këto informacione të Nacionales janë konfirmuar edhe nga Policia e Gjilanit për gazetën Telegrafi, që kanë dhënë përgjigjen e mëposhtme:
“Në lidhje me rastin “Lëndim i rëndë trupor” i cili ka ndodhur më datën: 22.10.2022 në Gjilan në mes të dyshuarit (i mitur) F.I.(2005) dhe viktimës R.A.(1995). Shkaku i kësaj ngjarje dyshohet të jetë borxhi në vlerën prej dhjetë (10) euro. Pas një debati verbal i dyshuari e godet bashkë me një shok të tij viktimën me grusht e pastaj e nxjerr një mjet të mprehtë (drapër) për ta goditur viktimën në qafë mirëpo viktima në vetëmbrojtje e ngritë dorën dhe i dyshuari pas goditjes arrin ti ja pres (dëmtoj) dy gishtat e dorës viktimës dhe nga ky rast i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Gjilanit.