‘Gjetëm korrupsion’: Escobar tregon pse Berisha u shpall ‘non-grata’ nga SHBA-ja
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor ka folur në lidhje me shpalljen person non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nga autoritetet amerikane.
Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se vendimi për kreun e Partisë Demokratike është marrë për shkak të korrupsionit.
“ Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morrëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”, tha diplomati amerikan.
Vlen të përmendet se Berisha, në muajin korrik ishte shpallur person i padëshirueshëm edhe nga Britania e Madhe.
Lajmin për këtë, e kishte bërë të ditur vetë ai në një konferencë për media.
"Ky vendim është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e sekretarit Blinken (Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken), të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkëngjiten vendimit të tyre, absolutisht pa asnjë bazë, me qëllim rritjen e presionit ndaj meje dhe justifikimin e vendimit të tyre bazuar në shpifje", ka deklaruar Berisha.