Gjermania e merr nën kontroll rafinerinë ruse, PCK
Nëndega gjermane e gjigantit rus të naftës, “Rosneft” u mor të premten në kujdestari nga autoritetet gjermane, duke ia dhënë kontrollin rregullatorit federal në rafinerinë PCK në Schwedt, burim kyç i karburantit për Berlinin.
“Rosneft Deutschland”, që më parë ishte kryesisht në pronësinë e kompanisë “Rosneft”, e ka testuar vendosmërinë e Gjermanisë për t’i eliminuar importet e naftës nga Rusia deri në fund të vitit sipas sanksioneve evropiane për ta ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.
Veprim i së premtes i eskalon edhe më tej raportet tashmë të tensionuara mes Gjermanisë dhe Rusisë, edhe pse kancelari gjerman, Olaf Scholz, bisedoi të martën përmes telefonit për situatën në Ukrainë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Nuk është e qartë se kush mund të shërbejë si zëvendësim i kompanisë “Rosneft” në rolin e operatorit të rafinerisë, nga e cila furnizohen edhe disa pjesë të Polonisë.
Kancelari Scholz, ministri i Ekonomisë, Rober Habeck, dhe kryeministri rajonal i Brandenburg-ut pritet të publikojnë më shumë detaje për këtë vendim në orën 13 e 30 minuta.