Gjermania do t’i dhurojë Ukrainës edhe shtatë tanke “Gepard”
Gjermania është duke u përgatitur që të dërgojë edhe shtatë tanke të tipit “Gepard” në Ukrainë, për t’ia bashkëngjitur 30 tankeve të tjera për mbrojtje kundërajrore, të cilat tashmë po përdoren në luftimet kundër ushtrisë ruse, sipas një uebfaqeje të qeverisë gjermane.
Sipas revistës “Der Spiegel”, e cila e para raportoi për tanket shtesë, mjetet ushtarake pritet të arrijnë në Ukrainë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe tash për tash janë duke u riparuar nga prodhuesi “Krauss-Maffei Wegmann” (KMW).
Qeveria nuk tregoi se kur planifikon t’i dhurojë tanket, për të cilat tha se kanë ardhur nga rezervat e prodhuesit dhe se dërgesa, në disa raste, varet nga masat e riparimit ose procesi i prodhimit, që mund të jetë duke vazhduar, raporton agjencia “Reuters”.
Revista gjermane raportoi se qeveria, gjithashtu, synon të dërgojë më shumë municion për tanket “Gepard”, së bashku me shtatë tanket shtesë.
Furnizimi i këtyre tankeve me municion ka qenë problematik, sepse Zvicra, e cila ka rezerva të atij lloji të municionit, ka refuzuar t’i dhurojë ato, duke e përmendur si arsyetim statusin neutral të saj.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Gjermanisë tha të premten në një konferencë për gazetarë se qeveria është duke zhvilluar bisedime me prodhues të ndryshëm në përpjekje për të siguruar më shumë municion dhe ka gjasë që të arrihet në situatën në të cilën Zvicra nuk do të jetë më e nevojshme për këtë qëllim.