Gjendja në LDK, Isa Mustafa "i përmbajtur" nga vlerësimet, nuk përfshihet në debat
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka refuzuar të komentojë drejtpërdrejt situatën aktuale brenda LDK-së pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se vlerësimet dhe vendimet do të bëhen në kuadër të organeve partiake.
Në një prononcim për VOX Kosova, Mustafa u shpreh i rezervuar lidhur me veprimet e kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili pas humbjes zgjedhore ishte shprehur i gatshëm të japë dorëheqje, por deri më tani nuk ka ndërmarrë një hap të tillë dhe ka reaguar ashpër ndaj kritikëve.
“Jam përmbajtur këtë kohë nga involvimi në këto debate”, tha Mustafa, duke shtuar se LDK do t’i trajtojë këto çështje në forumet e saj zyrtare. Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga drejtimi i partisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, pas një rezultati të ngjashëm zgjedhor.