"Gjendja është vërtet e keqe": ShBA-ja thotë se po e shqyrton lëshimin e ndihmave nga ajri në Gaza
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është duke e shqyrtuar hedhjen e ndihmave nga ajri nga aeroplanë ushtarakë të ShBA-së në Rripin e Gazës, pasi dërgesat përmes tokës po bëhen gjithnjë më të vështira, i tha të mërkurën agjencisë “Reuters” një zyrtar amerikan.
Uebfaqja amerikane e lajmeve, “Axios”, e cila raportoi e para se ShBA-ja po e shqyrtonte këtë mënyrë të dërgimit të ndihmave, citoi zyrtarë amerikanë të kenë pranuar se një veprim i tillë nuk do të ishte veçanërisht efikas dhe se çfarëdo sasie e madhe e ndihmave mund të lëvizet vetëm përmes transportit tokësor, përcjell gazeta “The Times of Israel”.
“Gjendja është vërtet e keqe. Ne nuk po mund t’i fusim ndihmat me kamionë, prandaj kemi nevojë për masa dëshpëruese si lëshimi nga ajri” – tha zyrtari amerikan.
Gjithashtu të mërkurën, një ministër kanadez tha se vendi i tij ishte duke punuar për lëshimin e ndihmave humanitare nga ajri në Gaza sa më shpejt që të jetë e mundshme, përderisa po eksploron opsione të reja për shpërndarjen e tyre.
Ministri i Zhvillimit Ndërkombëtar i Kanadasë, Ahmed Hussen, tha se shpërndarja e ndihmave nga ajri, në bashkëpunim me shtete që kanë qëllime të ngjashme në rajon, si Jordania, është në tavolinë. Jordania dhe disa shtete të tjera tashmë kanë lëshuar ndihma nga ajri në pjesën jugore të Gazës.