Gjendja e rënduar me vërshime, Fushë Kosova dhe Malisheva shtyjnë rifillimin e mësimit në shkolla
Komunat e Fushë Kosovës dhe Malishevës kanë vendosur ta shtyjnë fillimin e procesit mësimor, i cili ishte paraparë të nisë nesër, për shkak të situatës së rënduar nga kushtet atmosferike.
Drejtoria e Arsimit në Fushë Kosovë njoftoi se gjysmëvjetori i dytë do të fillojë më 19 janar, pasi reshjet e shiut dhe borës kanë vështirësuar qarkullimin dhe kanë krijuar probleme në sigurimin e ngrohjes në disa shkolla. Sipas njoftimit, nuk janë përmbushur kushtet minimale për zhvillimin normal të mësimit, ndërsa vendimi është marrë në funksion të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor.
Në Malishevë, mësimi është shtyrë për dy ditë, deri më 14 janar, për shkak të dëmeve në rrugë dhe infrastrukturë nga vërshimet e fundit. MAShTI kishte shtyrë më herët fillimin e mësimit në nivel vendi deri më 12 janar.