Gërxhaliu paralajmëron rritje të kamatave deri në 8 për qind
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar rritje të kamatave të bankave në Kosovë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka bërë me dije se kjo rritje mund të shkojë deri në 8 për qind.
Sipas tij, kjo do të ishte një goditje për qytetarët dhe bizneset në vend.
“Në anën tjetër e kemi Bankën Qendrore e cila kohëve të fundit është para sfidave të shumta në mungesë të një Guvernatori të mirëfillte dhe në mungesë të procedurave komfort ligjeve dhe transparencës së nevojshme e tëra kjo do të ndikoj që edhe në Kosovë qytetarët dhe bizneset të jenë të goditura. Është paralajmëruar që deri në qershor të këtij viti kamata do të jetë afër 6 për qind. Në qoftë se do të vazhdohet në këtë trend me siguri do të ketë edhe rritje që mund të shkoj deri 7.5 apo deri 8 për qind. Është mjaftë shqetësues fakti që do të jetë një goditje për bizneset e vogla, do të jetë një goditje për bizneset ekzistuese dhe do të jetë shumë e vështire që të kemi kreditim për qendrat e reja inovative të cilat kishin me qenë në funksion të zhvillimit”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka treguar arsyet e rritjes së normales.
Ekonomisti i njohur ka vlerësuar se rritjen e kamatave e kanë kërkuar edhe institucionet më të rëndësishme financiare në botë.
“Duhet të kuptohet një ngritje të kamatave bankare kemi pas qysh më herët këtë e ka proklamuar Banka Qendrore Evropiane, që është kërkuar që të rritet për 2 për qind kamata. Këtë e ka kërkuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë dhe Banka Botërore për të shpallur luftë kundër inflacionit që e ka kapluar Bashkimin Evropian edhe shumë vende të tjera në këtë drejtim edhe Kosovën. Në anën tjetër përdoret kjo ngritje e kamatave në Bankën Qendrore Evropiane, për faktin që është një mekanizëm kyç për t’i luftuar efektin e inflacionit që e ka goditur Evropën. Në këtë drejtim shumë shtete sot e kemi recesion ekonomik dhe devinitivisht një situatë e tillë nuk mund të i ik edhe Kosova. Ajo çka e karakterizon Kosovën me tepër është që niveli i zhvillimit ekonomik nuk mund të krahasohet me vendet Evropiane”, është shprehur Gërxhaliu.