Gërxhaliu kritikon pushtetin: I gëzohet dështimit të eksporteve të Kosovës në ShBA
Safet Gërxhaliu, ekonomist dhe ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një deklarim, Gërxhaliu ka kritikuar pushtetin për gëzimin e dështimit të eksportimit të produkteve të Kosovës në ShBA.
“E përjetova edhe këtë! Qeveria e Kosovës ia ka gëzimin dështimit të eksporteve të Kosovës në SHBA! Po, e lexuat drejt – është e pabesueshme, por ka ndodhur. Situatë sa qesharake aq edhe dëshpëruese, dhe shumë e rëndë për vendin. Ku jemi duke shkuar kur inkurajojmë dështimin dhe na pëlqen të themi që dështimet e biznesit vendor janë ndonjë lloj fitoreje? Kjo është një situatë që duhet të na shqetësojë të gjithëve, pasi bizneset vendore janë ata që mbajnë ekonominë dhe krijojnë mundësi për punësim”, ka deklaruar Gërxhaliu.
“Në vend që të mobilizohet diplomacia ekonomike dhe ajo politike për të mbështetur dhe hapur tregje të reja për eksport të produkteve” Made in Kosova “, ne i gëzohemi dështimit të kompanive vendore të pa mbrojtura dhe të pa mbështetura nga institucionet vendore! A mjafton vetëm fjala mjerim për ta përshkruar këtë gjendje!?” – ka pohuar Gërxhaliu.