Gërvalla: Kosova faktor kyç për paqe dhe siguri në rajon
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar Ndihmës- Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Politika të Sigurisë, ambasadorin Boris Ruge dhe zv. Ndihmës Sekretaren e Përgjithshme për Operacione në NATO, znj. Burcu San.
Gjatë këtij takimi, i cili ka ndodhur në selinë qendrore të NATO-s, kryediplomatja ka thënë se Kosova është faktor kyç i sigurisë në rajon.
Shefja e diplomacisë ka vlerësuar se Kosova e ka dëshmua veten si kontributdhënëse për paqe dhe siguri në rajon.
“Ministrja Gërvalla tutje ka theksuar se Republika e Kosovës është e gatshme dhe e vendosur të fillojë dialogun dhe procesin e konkretizimit të marrëdhënieve tona, duke vënë në pah se Kosova si faktor kyç dhe i dëshmuar si kontributdhënëse për paqe dhe siguri në rajon dhe përtej i ka përqafuar vlerat euroatlantike, të cilat i ndan me aleatët, miqtë dhe partnerët e saj ndërkombëtarë”, është thënë në një njoftimin për media të MPJD-së.
Sipas njoftimit, në këtë takim është folur edhe për çështje tjera.
“Vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi kanë zënë dhe aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke nënvizuar obstruksionet dhe sulmet e vazhdueshme të Serbisë si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të influencave të huaja për destabilizim të Kosovës dhe rajonit, në veçanti asaj ruse në Ballkanin Perëndimor”, është thënë në komunikatë.