Gërvalla kërkon nga BE-ja qëndrim më të qartë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga BE-ja qëndrim më të qartë ndaj sulmit të 24 shtatorit kundër Kosovës.
Në takimin e përbashkët me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ajo ka thënë se agresioni i Serbisë mbi Kosovën duhet dënuar.
“Në fjalën e saj, Ministrja Gërvalla theksoi nevojën e reagimit dhe qëndrimit më të qartë të Bashkimit Evropian ndaj aktit të agresionit të Serbisë dhe dënimin e sulmit të 24 shtatorit kundër Kosovës. Në prag të këtij takimi, Ministrja Gërvalla po ashtu takoi grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të cilin e përbëjnë shtetet si Austria, Kroacia, Çekia, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Sllovakia”, është thënë në komunikatën për media të MPJD-së.
Gjithashtu, kryediplomatja ka theksuar nevojën për një bashkëpunim më të fortë dhe ndihmë konkrete për rajonin në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Në këtë takim, Gërvalla ka marrë pjese me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.