“Gazprom”-i ia pezullon dërgesat e gazit Italisë
Kompania italiane e naftës dhe gazit, “Eni”, ka thënë se gjiganti rus i energjisë, “Gazprom” e ka informuar se “nuk ka mundësi që t’i konfirmojë vëllimet e gazit të kërkuara për sot, duke deklaruar se nuk është e mundshme që të dërgohet gaz përmes Austrisë. Prandaj, furnizimet e sotme me gaz rus për “Eni”-n përmes pikës hyrëse në Tarvisio do të jenë zero”.
Gazi rus dërgohet në Itali përmes gazsjellësit trans-austriak, që kalon nga kufiri mes Sllovakisë e Austrisë e vazhdon deri të kufiri mes Austrisë e Italisë.
Rreth 10 për qind e gazit të importuar nga Italia e ka prejardhjen nga Rusia. Kjo shifër ishte rreth 40 për qind para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.