Gati 500.000 ushtarë rusë janë vrarë në luftën e Ukrainës, sipas inteligjencës britanike
Pothuajse 500 mijë ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës më 2022, sipas agjencisë më të madhe britanike të inteligjencës, GCHQ.
Kjo shifër u dha nga drejtoresha e GCHQ-së, Anne Keast-Butler, në fjalimin e saj inaugurues publik, në të cilin i paraqiti kërcënimet me të cilat ballafaqohet Mbretëria e Bashkuar dhe masat që ajo beson se duhet të ndërmirren për t’iu kundërvënë atyre, raporton televizioni BBC.
Shefja e inteligjencës paralajmëroi se Britania është në një “moment pasojash” me Rusinë, pasi ka “shënjestrim të pamëshirshëm” të infrastrukturës kritike në mbarë vendin.
Ajo gjithashtu e fajësoi Kremlinin për një varg komplotesh spiunazhi në territorin britaniak dhe, më rishtazi, për zhvillimin e një “lufte hibride” të pashpallur kundër Britanisë dhe vendeve të tjera të NATO-s.
Palët e konfliktit kanë paraqitur rregullisht vlerësime për humbjet e kundërshtarit në luftë, por kanë ngurruar që të raportojnë për humbjet e veta.
Megjithatë, në muajin shkurt të këtij viti, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina kishte humbur 55 mijë ushtarë nga viti 2022.
Televizioni BBC deri më tani ka arritur që t’i konfirmojë emrat e 223.539 ushtarëve dhe oficerëve të vrarë në anën e rusëve në Ukrainë.