Gashi thotë se Kurti gënjeu për bashkimin me Shqipërinë: Kurrë s’kam pritur ndonjë hap nga ai e VV-ja për këtë
Gazetari Astrit Gashi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka gënjyer opinionin publik sa i përket bashkimit me Shqipërinë.
Sipas “RTV Dukagjin", ai ka thënë se Kurti në vazhdimësi e ka ditur se çka shkruan në Kushtetutë, dhe rrjedhimisht, edhe “ka gënjyer publikun”.
“Kjo Kushtetutë është këtu prej vitit 2008/2009, të njëjtat fjalë janë, askush nuk ka shtuar e as ka hequr asgjë aty. Si kandidat për kryeministër, si kryetar partie, si deputet, e ka lexuar Kushtetutën e Kosovës, e ka ditë se çfarë shkruan në nenet e Kushtetutës së Kosovës, së këndejmi e ka gënjyer opinionin publik në vazhdimësi.” – citohet të ketë thënë ai.
Madje, Gashi ka thënë se nuk ka pritur ndonjëherë që kryeministri Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, të bëjnë ndonjë hap drejt bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
“Kurrë nuk e kam marrë seriozisht dhe kurrë nuk kam pritur që Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë për ta bërë ndonjë hap drejt bashkimit kombëtar.” – u shpreh ai.