Gashi për rezultatet në PISA: Kosova sërish në fund pusit
Analisti Shkëlzen Gashi ka komentuar rezultatin katastrofik në testin e PISA-s. Ai e ka nisur reagimin e gjatë në Facebook duke thënë “Kosova sërish në fund pusit”.
Gashi ka sugjeruar tre hapa që sipas tij duhet të ndërmerren urgjentisht situatën.
Postimi i plotë:
KOSOVA SËRISH NË FUND TË PUSIT NË PISA
Për ta përmirësuar domethënëshëm gjendjen në arsim, duhet urgjentisht që:
E para, ta dyfishojmë numrin e objekteve bashkëkohore për shkolla fillore e të mesme në Kosovë bashkë me numrin e mësimdhënësve. Një mësimdhënës nuk duhet të ketë në asnjë rrethanë më shumë se maksimum 15 nxënës në klasë. Po ashtu, asnjëra shkollë në Kosovë nuk duhet të zhvillojë procesin mësimor në dy turne, por të kalojë në mësim tërëditor në objekte me laboratore, biblioteka, punëtori, salla të edukatës fizike, e me radhë.
E dyta, madje më e rëndësishme, shumica e teksteve mësimore duhet përkthyer nga gjuha angleze pasi Kosova nuk ka kapacitet që t’i hartojë vetë tekstet mësimore. Problemi i vetëm janë lëndët: histori kombëtare, gjuhë shqipe dhe letërsi shqipe, por, për fat të mirë, edhe për këto ka zgjidhje. Për historinë kombëtare mund ta përshtasim librin e historianit britanik Noel Malcolm ‘Kosova, një histori e shkurtë’, kurse për gjuhë shqipe dhe letërsi shqipe ka njohës të jashtëzakonshëm të gjuhës e të letërsisë, të cilët, për fat të keq, Kosova i ka shpërfillur. Po ashtu, është e rëndësishme që të diskutohet që këto tekste të mos jenë në gjuhën standarde të vitit 1972, sepse kjo është njëra prej arsyeve shtesë pse nxënësit kosovarë po dalin keq, sidomos në lexim, në testin PISA.
E treta, më e rëndësishme se dy të parat, duhet kualifikim i stafit të ri mësimdhënës dhe rikualifikim i stafit aktual mësimdhënës, kryesisht nëpër vendet skandinave (sidomos në vendet skandinave), kuptohet ata që janë për t’u rikualifikuar, e për ata që nuk janë duhet pensionim i parakohshëm. Mbi të gjitha, duhet që profesioni i mësimdhënësit të vishet me prestigj, siç ishte profesioni i përkthyesit me të huajt pas luftës më 1998-1999, e kjo bëhet sidomos duke iu dhënë stafit mësimdhënës paga të paktën dyfish më të larta se ç’kanë aktualisht.