GAP: Në 22 komuna burrat marrin pjesën më të madhe të buxhetit të destinuar për paga
Instituti GAP sot ka publikuar raportin “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor në Komuna”, në të cilin ka analizuar procesin dhe ndikimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) tek organizatat buxhetore të nivelit lokal.
Sipas këtij raporti, në 22 komuna burrat marrin pjesën më të madhe të buxhetit të destinuar për paga.
“Në 33 komunat që kanë plotësuar shtojcën për BPGj, del se janë të punësuara në total 18,739 gra (48.8%) dhe 19,626 burra (51.2%). Prej 34 komunave të cilat kanë plotësuar shtojcën për BPGj, në 22 prej tyre burrat marrin pjesën më të madhe të buxhetit të destinuar për paga. Përkundër asaj që në vitin 2023 parashihet që në total më shumë gra se burra të përfitojnë subvencione nga komunat, sa i përket vlerës së subvencionimit, 14 nga 25 komuna që kanë ofruar informata të plota, parashohin subvencionim në vlera më të larta për burra se për gra”, thuhet në raport.
Përmes këtij raporti, instituti ka treguar se nga viti 2017 deri 2023, asnjëherë nuk ka ndodhur që të gjitha komunat të dorëzojnë të plotësuara shtojcat e BPGj.
“Sa i përket procesit të hartimit të buxhetit për vitin 2023, 33 komuna kanë ofruar të dhëna për punësimin e grave dhe burrave në sektorin publik komunal; 34 komuna kanë ofruar informata lidhur me shpërndarjen vjetore të buxhetit në paga; 25 komuna kanë ofruar të dhëna për numrin e grave dhe burrave që mund të përfitojnë subvencione; 26 komuna kanë dhënë informata të plota lidhur me shumën e subvencioneve të planifikuara e të ndara sipas gjinisë; 31 komuna kanë plotësuar të dhënat e BPGj sa i përket nivelit të pagës për gratë dhe burrat e punësuar në sektorin publik”, është thënë në raport duke rekomanduar që në procesin e hartimit të buxhetit për vitin 2024, MFPT të shtrëngoj kriteret për aprovimin e buxheteve komunale nëse komunat nuk dorëzojnë të plotësuara edhe shtojcën për BPGj.