Gani Gecit i vërtetohet dënimi: 3 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit
Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me 3 vite e 6 muaj burgim për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 4 qershor 2021, nga Gjykata Themelore në Mitrocivë, Geci u dënua me 3 vjet burgim për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kurse 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj Gecit, u shqiptuar dënimi unik prej 3 vjet e 6 muaj burgim efektiv. Raporton “Betimi për Drejtësi”
Kundër këtij aktgjykimi, ankesë në Gjykatën e Apelit kishin parashtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Sokol Dobruna dhe i akuzuari Gani Geci me avokatin e tij Ndrec Dodaj.
Gjykata e Apelit këtë të mërkurë, më 29 shtator 2022, ka refuzuar ankesat e palëve dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
“Gjykata e Apelit, analizoi aktgjykimin e ankimuar së bashku me shkresat e lëndës, vlerësoi pretendimet ankimore, dhe sipas detyrës zyrtare, gjeti se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale të parashikuara në dispozitën e nenit 384 par.1 pika 1.12 e lidhur me nenin 370 të KPPRK-së, apo shkelje tjera e të cilët kishin me kushtëzua anulimin e detyrueshme të aktgjykimit”, thuhet në vendimin e Apelit.
Në vendim, thuhet se Gjykata e Apelit ka gjetur si të pabazuar pretendimet e prokurorisë se veprimet e të pandehurit ishin joproporcionale me shkallën e rrezikut të perceptuar.
“Gjykata e Apelit, gjen të pabazuar pretendimin ankimor të Prokurorisë se veprimet e të pandehurit ishin jo proporcionale me shkallën e rrezikut të perceptuar se po i kanosej atij nga veprimet e viktimës, e që do të prodhonin tek i pandehuri gjendjen e rëndë mendore, kjo për faktin se prokuroria përveç bindjes se tyre se ka konsideruar për një gjendje të këtillë, në ankesë nuk potencon se nga cilat provat po vërtetohet ky fakt”, thuhet në vendim.
Po ashtu, Apeli ka gjetur si të pabazuar edhe pretendimin ankimor të të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij se në rastin konkret, kemi të bëjmë me një mbrojtje të nevojshme fiktive apo putative.
“Edhe pse është fakt, që nuk kemi sulm klasik nga ana e viktimës siç parashihet me nenin 12 të KPK-së, por duke pas parasysh të kaluarën e të akuzuarit para dhe pas luftës, plagosja e tij, rreshtimi politik, bashkëpunimi me strukturat dhe kontributi i tij me daljen në sipërfaqe të rastit Bllaca, pastaj provokimi nga viktima rezulton se i akuzuari është ndjerë i rrezikuar për jetë pas ngritjes së viktimës nga karriga dhe vendosjen e dorës së djathtë në brez”, thuhet tutje në vendim.