Ftesa e Kurtit për takim me opozitën, Tahiri: Përpjekje për ta përmbysur narrativen e bllokadës
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti sot ka paralajmëruar takime të reja me liderët e opozitës.
Ai ka bërë me dije se kjo është një përpjekje për ta përmbysur narrativen e bllokadës që e ka krijuar vetë.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se Kurti po mundohet ta zhvendosë vëmendjen nga përplasja me Presidenten dhe ta çorientojë opozitën.
“Ftesa e Kurtit për takime me opozitën është përpjekje për ta përmbysur narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë dhe njëkohësisht për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese. Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën. Njëkohësisht Kurti po mundohet ta zhvendosë vëmendjen nga përplasja me Presidenten dhe ta çorientojë opozitën. Pa agjendë dhe parakushte të qarta nga opozita, ai mund ta përdorë edhe këtë proces për t’i ikur përgjegjësisë dhe për ta shtyrë vendin drejt zgjedhjeve sipas llogarisë së tij politike”, ka shkruar ai.